PD: Ditën që u dogjën dokumentet tek Ministria e Shëndetësisë, u hap me forcë edhe zyra e tenderave


PD nuk i ndahet tenderit sekret të Shëndetësisë. “Jo vetëm zjarr, por në datën 15 prill në katin e katërt të Ministrisë së Shëndetësisë, ku ndodhet Zyra e Prokurimeve, janë shpërthyer edhe dyert para se të vinin punonjësit në punë.”-kështu shprehet ish-deputeti i PD Bardh Spahia.

Ai thekson se kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë nga Ministria, duke e kaluar këtë vetëm me ndërrim bravash dhe urdhër për të mos folur për mediat.

Spahia i kërkon SPAK të hetojë për këto çështje, pasi janë dy ngjarje të rënda që lidhen me të njëjtën ditë kur sipas tij, ndodhi edhe djegia e dokumenteve. Bardh Spahia shprehet se është dhënë urdhër ndaj punonjësve që të mos u japin asnjë informacion gazetarëve.

Postimi i Bardh Spahisë:

NGA CIKLI “BANDITIZEM NE MINISTRINE E SHENDETESISE”

SHPERTHEHEN ZYRA NE KATIN E ZYRES SE TENDERAVE!

Nuk mbarojnë cuditë në Ministrinë e Shëndetësisë në këtë kohë tenderash sekretë. Djegia e dokumenteve, bllokimi i informacionit për mediat nuk janë zhvillimet e vetme. Në institucionin që drejtohet nga Ogerta Manastirliu, ndodh edhe hapja me forcë e zyrave të punonjësve. Ngjarja ka ndodhur sërish në katin e katërt, aty ku ndodhet zyra e tenderave. Mëngjesin e 15 Prillit, punonjësit që janë paraqitur në zyrat e tyre në katin e katërt të Ministrisë së shëndetësisë, kanë konstatuar dyert e dëmtuara, e të hapura me forcë. Ndërrimi i bravave dhe kalimi në heshtje i kësaj ngjarjeje, ngjan me një bashkëpunim në një akt bandidizmi, e padëgjuar për një institucion shtetëror, që si cdo institucion tjetër ka edhe personel sigurie.

Koincidencë apo jo, të gjitha cuditë që ndodhin në ministrinë e shëndetësisë lidhen më një datë, 15 Prill 2020. Në këtë datë në mëngjes, punonjësit e katit të katërt përballen me zyrat e shpërthyera. Disa orë më vonë, shpërndahet një urdhër për të mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ndërsa afro pesë orë pas mbarimit të orarit zyrtar, aktivizohet alarmi antizjarr për shkak të djegies së dokumenteve në katin e zyrës së tenderave, të njëjtin kat ku në mëngjes ishin konstatuar zyrat e shpërthyera me forcë.

Si mund të ndodhin këto akte banditeske në një institucion shtetëror?

Përse ministrja e shëndetësisë përpiqet të mbulojë ngjarje të tilla kaq të rënda? Se mos e mohon edhe këtë, e më pas e quan “incident”?

U bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK që po hetojnë cështjen e tenderave sekretë të ministrisë së shëndetësisë, të hetojnë edhe shpërthimin e zyrave në katin e zyrës së prokurimeve, në të njëjtën ditë kur në të njëjtin kat, ndodhi edhe djegia e dokumenteve. A lidhet zvarritja në përcjelljen e dokumenteve në SPAK me këto akte banditeske në ministrinë e shëndetësisë?