Neritan Liçaj: Do ta mbrojmë Teatrin, dhunës i përgjigjemi me dhunë!


Që prej mesit të korrikut të vitit të kaluar “Aleanca për Teatrin” qëndron me turne prej 24 orësh, për të mos lejuar zbrazjen e Teatrit Kombetar, por sot situata është nxehur, pasi pesë policë bashkiakë kanë vendosur një shkresë që tregonte kalimin e pronësisë së godinës te Bashkia e Tiranës.

Nëse objekti nuk lirohet, policia ka të drejtë të ndërhyjë për të zbrazur godinën. Pikërisht një gjë të tillë artistët thonë se nuk do ta lejojnë.

I këtij mendimi ishte edhe aktori Neritan Liçaj. Ai tha se artistet do rezistonin dhe nëse do kishte dhunë nga ana e policisë, ata do i përgjigjeshin me dhunë.

“Na u dorëzua një defter bakalli, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave ky territor i kalon bashkisë. Vendimi është nul, sepse ka një gjë më të madhe se ai, është ligji special për teatrin. Ligji special Fusha bëhet nul kur qeveria e tërheq nga parlamenti. Deri më tani ligji Fusha nuk është tërhequr nga Parlamenti. Ne jemi clirimtarët, kryetari i paligjshëm i Bashkisë është talebani i radhës që vjen t’u zhapikohet mureve të këtyre kështjellave. Ne jemi të ligjshëm, na njohin institucionet ndërkombëtare, na njeh Presidenti”,- tha ai.

Licaj shtoi ndër të tjera se: “Brenda teatrit është një pasuri e jashtëzakonshme, ka qënë qytetari që ka paguar, është vlerë shpirtërore dhe historike. Cdo centimetër katror e tij frymëzon, është një histori e mrekullueshme. Kryetari të vijë këtu, bujrum ose do i shkojmë te bashkia ta nxjerrim me shkelma se është i paligjshëm si kryebashkiak. Ai e ka shumë keq punën edhe te Unaza e Re, të ketë kujdes, do ia hanë kokën edhe tek unaza edhe këtu! Ne do ta mbrojmë teatrin si në 24 korrik, hapat tona dihen, janë hapa ligjore. Ai të japë përgjigje në SPAK, ne do vazhdojmë të ngremë padi për këtë zhapikorin e bashkisë. Ne nuk duam përplasje civile por nëse ata do këmbëngulin, akteve të dhunës i përgjigjemi me dhunë”/BW