FSHF zbardh kalendarin e rifillimit: ndeshje çdo tre ditë, mbyllja në 29 korrik


E sotmja ka qenë një ditë impenjative për Federatën Shqiptare të Futbollit, që jo vetëm ka zgjidhur kontradiktat mes klubeve për rifillimin e kampionatit, por ka publikuar edhe kalendarin e ri të rifillimit të futbollit. Ndeshje cdo tre ditë, me startin të mërkurën e 3 qershorit, për ta mbyllur në 29 korrik 10 javët e mbetura të Superiores dhe Kupën e Shqipërisë (cerekfinalet, gjysëmfinalet e finalen).

Në ambjentet e selisë së re të FSHF-së është zhvilluar takimi midis Presidentëve të klubeve të Kategorisë Superiore dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ku u diskutua mbi rifillimin e garës futbollistike në vend. Gjatë këtij takimi u diskutua protokolli dhe kalendari, ku u vendos që Kategoria Superiore të rifillojë më 3 qershor dhe të përfundojë në datën 29 korrik 2020. U vendos gjithashtu që finalja e Kupes së Shqipërisë të zhvillohet në datën 2 gusht.

Starti do të jetë asfiksues me katër ndeshje në 10 ditë mes Kupës e kampionatit. Duke patur parasysh që lojtarët duhet të rigjejnë formën pas dy muajsh inaktivitet, kjo periudhë është edhe më e rrezikshmja për lojtarët që mund të pësojnë dëmtime.