‘Zjarri në katin e 4 në Ministri që nuk u raportua”/ Denoncimi i fortë, Basha flet për manipulim tenderash sekretë, reagon Manastirliu


Kreu i PD, Lulzim Basha ka bërë një denoncim të fortë ku flet për manipulim të dokumenteve e tenderave sekret. Basha thotë se disa ditë më parë në katin e zyrës së prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr, pasi SPAK-u nisi hetimet.

basha 2

Por kjo nuk është raportuar si ngjarje thotë kryedemokrati.

“Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën”, shkruan Basha.

Lideri i opozitës thekson se hetimi i tenderave sekret, është një test për jetë a vdekje për SPAK-un.

“Nëse dështon, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur”, nënvizon kreu i demokratëve.

Por ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ka mohuar një gjë të tillë. Ajo në një postim në Twitter shkruan:

“Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi!”

POSTIMI I PLOTE I BASHES

Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekrete. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK –u filloi hetimin.

Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur. Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, nga Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit. Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar.

Pas deklaratës së Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se asnjë zjarr nuk kishte rënë tek Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

bardhi manastirliu

Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Manastirliu gënjeu kur tha se nuk kishte rënë asnjë zjarr dhe  paralajmëroi se provat do të publikohen ditën e nesërme.

“Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies”, thekson Bardhi.

Reagimi i plotë:

Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.

Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.

Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.

Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë! PANORAMA