Qeveria përgatit “fshesën” në Policinë e Shtetit. Si do largohen efektivët “barkderra” nga forcat e rendit. Lleshaj: Ja moshat që preken


Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj të ri për “Policinë e Shtetit” me anë të të cilit synon të lirojë nga radhët e saj efektivët, që kanë mbushur moshën mbi 55-vjeç dhe që janë mbipeshë apo në formë jo të mirë fizike.

Projektligji është prezantuar sot në Komisionin e Sigurisë nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili ka bërë të ditur se kjo nismë ka si synim për të reformuar forcat e rendit dhe për të përmirësuar moshën mesatare në këtë strukturë.

Lleshaj ka thënë se policët mbi 55-vjeç që do largohen nga shërbimi aktiv, do trajtohen me gjysmën e pagës neto dhe do angazhohen herë pas here nga Policia sipas nevojave për të mbushur një total prej 700 orësh punë në vit.

“Nga radhët policisë të largohen ose me kërkesën e vetë punonjësit të policisë ose me vendim të autoriteteve drejtuese të saj punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën 55 vjeç, ose që kanë plotësuar 30 vite shërbim në radhët e policisë.

 Sot ne kemi në  nivelin bazë të policisë oficerë që janë mbi 50-vjeç, në gradat e ulëta, në gradat, nën komisar, grada inspektorëve, që janë 60 vjeç.

Synimi është që të preket kjo fashë e gradave, njerëz që janë në terren, njerëz që duhet se s’bën të lëvizin. Pas largimit nga radhët e policisë, këta punonjës të shtetit parashikohet të trajtohen financiarisht me 50% të pagës neto”, deklaroi Lleshaj.

Ministri i Brendshëm tha më tej se: “qëllimi i këtij projektligji është të adresojë kryesisht çështjen e moshës në Policinë e Shtetit. Për të përmirësuar  moshën mesatare të Policisë së Shtetit duhet që për ata të cilëve ju duhet të largohen prej radhëve të saj për arsye moshe, t’u garantohen kushtet e një jete dinjitoze”.

Lleshaj ka bërë të ditur se kjo ‘reformë’ do të zbatohet sipas rastit, dhe policët që nuk plotësojnë kushtet fizike për të qëndruar në detyrë do mund të largohen me dëshirë, pse me vendim të eprorit të tyre.

Urdhri ‘barkderrave’

Pas emërimit në krye të Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshaj ndër vendimet që mori dhe që u komentua gjerësisht ishte ai i largimit të policëve ‘barkderra’ nga vendet e dukshme në Policinë e Shtetit.  “Policët mbipeshë dhe me bark nuk do kryejnë shërbim në vende të dukshme”.