Eurodeputetët të shqetësuar për 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria


Një ditë pas Samitit të Zagrebit, eurodeputet kanë ngritur me shqetësim në Parlamentin Europian 15 kushtet që duhet të përmbushë qeveria Rama.

“Si po punoni me 15 kushtet e Këshillit Europian për Shqipërinë?” ishte pyetja që eurodeputetët Kinga Gál dhe Michal Gahler nga Grupi PPE i drejtuan sot Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhely.

Pyetja u bë gjatë një debati në Komisionin për Punët e Jashtëme (AFET) në Parlamentin Europian ku një pjesë e deputetëve ishin fizikisht në sallë dhe pjesa tjetër ishte në videokonferencë nga distanca.

Eurodeputeti David Lega (PPE, Suedi) tha se ishte shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i lirisë së medias e të shprehjes në Shqipëri ndërkohë që kjo është kusht për çeljen e negociatave.

“Raportet e Reporterëve pa Kufij, të Freedom House dhe të Këshillit të Europës po na japin një panoramë të keqe. Dua të di nëse ky problem dhe 15 kushtet specifike u diskutuan në samitin e Zagrebit ku i pranishëm përmes videokonferences ishte edhe zoti Edi Rama ”

Komisioneri Varhely theksoi se ai do të bënte çmos që këto kushte të përmbusheshin.

Lidhur me ligjet antishpifje Varhely tha se qeveria e Tiranës i kishte premtuar se nuk do të vepronte kundër opinionit të Komisionit të Venecias. Gjithashtu Komisioni po ndiqte edhe reformën zgjedhore.