Pesë shqetësimet e turizmit, Basha: Të zbatohen sa më parë nga qeveria


Turizmi është një nga sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit. Përfaqësues të Shoqatës së Turizmit zhvilluan sot një takim me kryetarin e PD, Lulzim Basha, ku i shprehën atij shqetësimet që ata kanë në këtë periudhë.

 “Standardet e reja që po vendosen nga qeveria kanë një kosto shtesë të konsiderueshme, për të cilat nuk është dhënë asnjë ndihmë financiare.”- theksuan përfaqësuesit e shoqatës së turizmit.

Ata vunë në dukje se mungesa e një plani nga qeveria për kohën e hapjes së sezonit e vështirëson akoma më shumë gjendjen.

“Gjetja e një formule mbijetese është ajo çfarë vlen më shumë tani për turizmin”- thanë përfaqësuesit e shoqatës, duke vënë në dukje se ky sektor u godit 2 herë brenda pak muajve, fillimisht nga tërmeti më nëntor dhe tani nga pandemia, kur janë anulluar të gjitha prenotimet.

Përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit i thanë kreut të opozitës se kërkesat për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit janë të shumta, por më kryesoret janë 5:

1.Ndihmën financiare, me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.

2.Subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore

3.Sigurimin e likuiditetit përmes  skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.

4.Anullimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht, si në kohë “paqeje”.

5.Bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos me fqinjët, për rakordimin e politikave dhe hapjen e mundësive për turizëm.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha të gjitha kërkesat e përfaqësuesve të turizmit janë të drejta dhe duhen  të zbatohen sa më parë nga qeveria. Basha i siguroi punonjësit e sektorit të turizmit dhe përfaqësuesit e tyre se do të bëjë çmos që zëri i tyre të dëgjohet, me qëllim mbështetjen e turizmit, si një ndër sektorët më të rëndësishëm  të ekonomisë.

Në sektorin e turizmit janë të punësuar rreth 93 mijë punëtorë.