Çfarë po ndodh në Rusi? 3 mjekë të covid bien aksidentalisht nga dritarja brenda 2 javësh


3 mjekë të linjës së parë të koronavirusit janë rrëzuar nga dritarja në 2 javët e fundit në Rusi. Ngjarjet kanë ndodhur në spitalet ku ata punonin duke tërhequr vëmendjen e publikut për gjendjen në këto spitale. 2 nga këta kanë humbur jetën dhe njëri prej tyre është në gjendje të rëndë në spital.

Të tri rastet janë duke u hetuar nga autoritetet të cilat janë vënë nën presion nga publiku dhe media. Alexander Shulepov, një mjek ambulance në Voronezh, një qytet 320 milje në jug të Moskës është në gjendje të rëndë pasi u rrëzua nga dritarja e spitalit ku punonte këtë të shtunë.

Televizioni lokal tha se ai u rrëzua nga dritarja e katit të dytë të spitalit ku punonte, por ku edhe po trajtohej pasi kishte rezultuar pozitivë me koronavirus. Shulepov u shtrua në spital në 22 prill dhe në të njëjtën ditë ai publikoi një video online së bashku me kolegun e tij Alexander Kosyakin ku deklaronin se Shulepov ishte detyruar të vijonte punën edhe pse kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Pas publikimit të videos ai u mor në pyetje nga policia për shpërndarje të lajmeve të rreme. Në 1 maj Elena Nepomnyashchaya, një mjeke në një spital në qytetin siberian të Krasnoyarsk, humbi jetën pasi, sipas zyrtarëve lokalë, u rrëzua nga dritarja gjatë një takimi me drejtues të spitalit. Në 24 prill edhe Natalya Lebedeva, shefe e emergjencës në spitalin Star City, baza e trajtimit të kozmonautëve rusë ra nga dritarja. Edhe në këtë rast, ngjarja u quajt aksidentale. ©LAPSI.al