Distancimi fizik i pandemisë dhe spërkla komuniste…


03_06_2016_6145097_myslim_pasha1

MYSLIM PASHA 

1. FILLIMI SI “DISTANCIM FIZIK”

Është një term që u mbresua këto muaj të pandemisë sëori lufte me virus të padukshëm. Kjo është një largësi që duhet ruajtur dhe duhet mbajtur me njëri-tjetrin prej rrezikut të drejtpërdrejtë të infektimit me Covid-19. Kujtojmë dhe përfytyrojmë në panik dhe pse themi se e zotërojmë veten, se në një largësi të caktuar, e cila jepet në instruksione çdo ditë, t’i duhet ta kesh një rreze të caktuar të sipërfaqeje rrethore vëllimore rreth vetes, tej së cilës është armiku përhapës dhe vdekjeprurës me spërkla që të rrezikojnë. Po ashtu, kjo është e njëllojshme për fqinjin apo individin fqinj në lëvizje apo qëndrim, i cili ka po të njëjtin objekt ruajtjeje të sigurisë. Ikim dhe flasim me vete, duke bërë llogari me secilin se sa larg duhet të jemi dhe sa e ka rrezen spërkla “ushtarët hapësinorë të padukshëm”.

2. PËRQASJE

“Largesë shoqërore e ndërsjellë”, tjetër lloj, shumë më komplekse. Ashtu si në pandemi, rrotull qenies sonë dhe kadastrës morale politike dhe ideologjike njerëzore, je i detyruar të distancohesh në aspektin shoqëror të individëve, grup individësh që lëvizin në hapësirë brenda një bashkësie. Ideologjitë dhe morali që ato sillnin me vete krijonin një ndarje dhe distancim “Larg armikut të klasës”, “Larg ideologjisë borgjeze”, “Larg nga epidemisë revizioniste!”, “Larg imperializmit amerikan dhe sojit e sorollopit të tyre! … Këto e bënin njeriun që të krijonte një gjeometri hapësinore dërrmuese, të ankthshme, gjithnjë me makth e pasoja të rënda që do të vijonin për një kohë të gjatë. Kjo gjeometri infektuese e pushtoi shoqërinë komuniste (socialiste) gjersa ajo së fundmi, pas eksperimentimit të saj, hëngri vetveten. Ky distancim shoqëror kërkonte ndarje individësh apo grup individësh, që ishin të dënuar, që përfaqësonin të afërm të familjeve feudale apo borgjeze, me të afërm dhe bashkësi të tëra, ku kryesore qëndronte lufta e klasave. Po me kalimin e kohës kjo dukuri distancimi filloi e u dimensionua edhe për individë të ndëshkuar, të dënuar, të demaskuar, të cilët e kishin diagnozën në një patologji të caktuar, që kryesisht ishte e thurur prej ideologjisë, komuniste. Njerëzit diferencoheshin, tipizoheshin si të sëmurë, të infektuar, me njolla dhe cene në biografi, që në hapësirën dhe vëllimin që zinin, paraqisnin rrezikshmërinë. Kjo e bënte shoqërinë që të vetinfektohej rëndë, siç u provua më vonë, pa sjellë asnjë dobi shoqërore, politike ekonomike etj. Përkundrazi, çoi në greminën e sigurt.

3. BREZI I ‘CENEVE’ DHE NJOLLAVE IDEOLOGJIKE

Edhe unë i kam kaluar disa epidemi në formacionin tim të shërbimit: Epidemia e Njeriut të Ri, Epidemia e gjeneralëve dhe bunkerëve, Epidemia e Kulturës, Epidemia e Inxhinierëve të Naftës… etj. Bisht pas bishti u bëra edhe unë personazh që të diferencohesha në “Distancim social” . Kujtoj se sapo mbërrita në repartin ushtarak ku kisha shkuar i transferuar për t’u riedukuar nga partia, që të rikthehesha në pozicionin e standardeve ideologjike.

Sapo hyra, i hutuar, pa orientim, me një frikë besëtyte, që kish filluar që në organizatë, unë doja të ikja përpara, por po pengohesha. Që në atë moment, mua më duhej që të ndaja gjeometrinë që më takonte, e në atë vëllim brenda vetes, unë isha me “cen”, me “njollë” me “masë ndëshkimore dhe prove…”. Ata që më prisnin, pavarësisht se iu ishte thënë se po vjen për riedukim e do të shikojmë punën e tij, ju “duhet të ruheni nga rreziku i ideologjisë borgjeze revizioniste… dhe kinezërive… nga Karjerizmi i tij… të mos afroheni aq shumë sa të na ndodhë e kundërta… etj.”. Jo vetëm ruajtja e distancës, por edhe e fjalët, buzëqeshjet, kafendënja, e vizitës, e sportit, e kinemasë e leximit të librit, kudo… aty është rreziku i virusit… më kuptoni apo jo!

4. DOJA TË NGUSHTOJA “DISTANCIMIN TIM FIZIK”

Ishte një stinë kur për studimin tim gjeografiko-ushtarak të zonës do të ishte edhe një provë ku do të dilte vigjilenca ime ideologjike dhe trajtimi real i Dheut Shqiptar, që është i rrethuar nga superarmiq. Kjo do të ishte një Domethënie Ideologjike e Terrenit, që unë e kisha shkruar në vërejtjet që mund të bënin. E dija se shefi im i përkohshëm që shikonte draftin, e kishte shumë frikë anën ideologjike, e si njeri që nuk donte të më bënte keq, në njëfarë mënyre dëshironte që ta hiqte nga by…a e tij. Unë i kisha dalë para kësaj për të bërë shpjegimet e duhura me pikëpyetje për ngjarjet që kishin ndodhur në fundin e Derdhjes së Vjetër të Semanit. “Pse interesohet Marksizëm Leninizmi lidhur me Luftën e klasave dhe pse lumi iku nga gjurma e vjetër për t’u derdhur në Karavasta? pikërisht këtu në breg të detit, e kishim ngritur kampin tonë topografik-studimor, asaj stine. Veç kësaj, unë duhej të shkoqisja bindshëm se pse përdorej ‘Lumi i Vdekur’ dhe ‘Lumi i Gjallë’ shtrati i Vjetër etj. Isha i përgatitur që të jepja shpjegime lidhur me qarkullimin e ujërave nga deti në Lagunën e Karavastasë dhe e kundërta, ç’lidhje mund të ketë kjo me fatin e Shqipërisë?! E po, kështu në përshkrim duhet të gjente vend edhe pse i lihej kaq vend Semanit të Vdekur, kur çdo gjë në Shqipëri ishte e gjallë dhe kurrë vdekje! Ishte harruar edhe një detaj gjeo-historik, lidhur me ca konsiderata të luftës së klasave dhe si shpjegohet që Jul Qezari dhe Pompeu, zhvilluan luftën civile në Iliri dhe jo në vendin e tyre… kjo donte thellim për rastin shqiptar. Jul Qezari e kish ngritur kryekomandën në breg të Semanit të dikurshëm, që ishte Gradishta e sotme. Mirëpo, pyetjet mund të ishin akoma më të thella, sidomos pse aty te duna e rërës ishte një pikë trigonometrike shumë e dalluar nga të tjerat…a mos kish lidhje gjë kjo me ardhjen e nëndetëseve këtu te Dajlani… oh si e paskam harruar! Kur përshkruhej krijimi e tokës së re, te kordonët litoralë, se aty kishte ardhur Xhevdet Mustafa me nëndetëse. Pse? ’mund të jetë ky përkim?!”. Duhej përshkruar thellë, mbasi Xhevdet Mustafa, nuk ta nxë goja ta thuash, kish ardhur që të vriste Enver Hoxhën… Të zihej fryma në grykë. Se Terreni është përbërësi i tretë i luftës. Dhe se topografia ushtarake është shkencë Marksiste Leniniste. Ky ishte një kryeshpjegim që unë duhej që të tregohesha ekzigjent e kërkues për të dhënë sqarime në përshkrimin topo-ushtarak që po mbaronte. Ne ndodheshim për gati tre muaj në çadra para se të takohej koka e Semanit të Vjetër (të vdekur) me detin. 5. ‘PSE’ PAFUND! Atë ditë, kur shefi im i përkohshëm kish ardhur që të bënte dhe pyetjet përfundimtare, ndodhi një nga ato gjërat që iu thonë “E gjetsh nga mos e pandehsh!”. Unë prisja që të merrje vlerësimin e terrenit nga ana ideologjike, pikërisht në kokën e Semanit të Vdekur. E kur nga kjo të varej edhe heqja përfundimtare e “Distancimit Social” dhe unë të kthehesha në gjirin e shëndoshë ideologjik të Partisë sime, fare pa merak se kishin ardhur efektet shndërruese të Njeriut të Ri. Me këtë rast, shpëtonte dhe shefi im i përkohshëm, i cili kishte shumë frikë nga natyra, por ama edhe mua, nuk donte të më bënte keq. “Pse”-të e tij do të pillnin njëqind “Pse” të tjera dhe s’do të dilja dot, sidomos arsyeja topo-ushtarake e lindjes së mikroishujve ranorë në ata kordonët litoralë duhej të dyshohej se ishte dhuratë e fshehtë e Imperializmit amerikan dhe pse jo atij italian. Pse nëndetësja zbarkoi te këta kordonë litoralë? Veç kësaj, unë e dija se do të kërkohej edhe një shpjegim ideologjik se pse vallë qarkullon uji nga deti në lagunë dhe në të kundërt, pa dhënë shpjegime për rolin e Hënës, e cila nuk ndrin vet, por e merr dritën nga Dielli. “ Mirëpo, terrenit i jep dritë partia!” Kjo është lojë e perëndimit dhe duhej sjellë si dyshim. Gjithçka u prish brenda asaj ditë kur unë shpresoja shumë.

6. VIVA L’ITALIA

Ja se ç’ndodhi? Në pasqyrën ranore të fundit të Semanit të Vjetër, kishin ardhur dhe po loznin nja tre çuna nga ata të Bedatit. Këta ishin fëmijë, prindërit e të cilëve ishin të dëbuar politikë, të cilët banonin në Bedatin e njohur, ku rronin bij armiqsh klasorë. Ne po afroheshim në argjinaturë për të parë. Ata ishim katër vetë.

Po vështronim. Në sheshinën ranore, nuk po na shihnin. Njëri prej tyre më një kallam të gjatë filloi të shkruajë mbi syprinë. V I V A….dhe ne po prisnim se çfarë do të vijonte më tej. Kur ne shqyem sytë. Aty kish dalë: “VIVA ITALIA”.

Po shihnim njëri-tjetrin dhe Shefi u struk më keq për atë që kishte ndodhur, afër ngulimit të çadrave tona studimore për “Terrenin Shqiptar”. Shefi i përkohshëm pa nga unë. Unë isha ai, “i dënuari”, që e kisha vulën te “Distancimi shoqëror”, që po vuaja. Dhe ja se si erdhi puna, gjithçka do të shkarkohej te “peri i hollë” dhe “peri i hollë” isha unë… Më flakëriu në mendje vrapimi, për të kapur atë djalin që kish kryer këtë vepër. Dhe ia nisa vrapit, sikur të isha në një garë të çuditshme, për të kapërcyer “shtratin e vdekur”, që ta kapja “armikun” që na ë kishte bërë polem aty për aty. Rashë dytri herë dhe u gërrica nga gjembaçët… u përplasa, po nuk e zura dot. Ata ishin larguar që të katërt, po shenjën vdekjeprurëse e kishin lënë në terrenin tim. Në këtë terren që unë e doja si shpirt, kishin shkruar një parullë ku thoshin “Rroftë!” për një vend armik, kapitalist, i urryer për ideologjinë time!

Unë u ktheva te shokët. Kuptohet se sa fyese ishte për mua, një oficer, që vrapoja në mënyrë groteske për të kapur rrugaçët e të dëbuarve politikë, që më kishin përdhosur terrenin tim “të fisëm” komunist. E dyta që më duhej të bëja, ishte ajo që do t’i tregoja shefit tim të përkohshëm se më duhet po ashtu mua, para së gjithash, që ta ndëshkoja veprën që ishte kryer. Po vija kokë ulur. Bashkimi, Fejzo, Delo dhe unë po shkonim te shenja “VIVA ITALIA”.

Shefi iu shmang afrimit dhe këqyrjes në vend. Kjo mua më theri se ishte edhe thikë me dy presa. Ne ishim afruar, me sy të dridhur, duke parë pankartën prej rëre. Asnjë fjalë nuk po e thoshim. Mua më takonte i pari që ta fshija e shuaja, sa më shpejtë të ishte e mundur, nën tabanët e këpucëve të mia ushtarake, ashtu i latërzyer, gjithë nerva. Unë prisja dhe shikoja nga shokët se ç’përshtypje po bëja në “shuarjen” e VIVA-s. Më shumë kërshëri dhe shikime të prasme kishte Delua, sepse ai ishte nga Lumi i Vlorës, kurse unë isha ai me “Distancim shoqëror” që dukesha po kaq grotesk. Po ktheheshim pa folur, ashtu siç kishim ardhur. Mosprania e shefit të përkohshëm e bënte edhe më zgjyrë situatën. Përshkrimi im topo-ushtarak pothuajse e kishte marrë notën. Pse erdhën çunat… pse lozën… pse nuk ishit vigjilent se ata ishin armiq klase… pse u shkrua ‘Viva Italia’ dhe nuk u shkrua ‘Viva Albania’…, pse pikërisht te koka e Lumit të Vdekur… pse te pika trigonometrike që ka lidhje me yjet… dhe pse atë ditë kur përshkrimi topo-ushtrak do të merrte notën përfundimtare?!

“Distancimi social” imi kish ngelur sërish në rënë. Idenë kordonëve litoralë që formoheshin, e kisha hedhur unë, po si do të shpjegoja se pse Xhevdet Mustafa kish ardhur për të vrarë Enver Hoxhën?

7. NË VEND TË EPILOGUT …

E gjitha kjo, erdhi prej asaj mbresës së dikurshme të “distancimit social” ideologjik dhe të pandemisë së sotme, një “armik” global që kërcënon botën dhe mua më ka lënë larg atdheut. Flas me vete kur dalë tani me maskë dhe doreza, për të llogaritur mirë se larg do të jenë “ndofta” ato spërklat infektuese që kërkojë qelizat e mia të gjalla.