EKSKLUZIVE/ MARRËZI KOLEKTIVE, TË DALIM NGA IZOLIMI, SPITALET T’U KTHEHEN NJERËZVE



Nga Armand Maho

Mjeku i njohur, Gëzim Xhepa, nga të rrallët që ka mbajtur qëndrime kritike për menaxhimin shëndetësor të pandemisë, flet për gazetën MAPO.

Xhepa thotë se duhet të besojmë tek imuniteti natyral dhe të dalim sa më shpejt nga izolimi. Profesori proteston ashpër ndaj idesë, se Shqipëria mund të kthehet në terren të testimit të skemave të mjekimit anti-covid të OBSH. Xhepa po ashtu nuk është në favor të testimit masiv të popullatës.

Doktor Gëzim Xhepën e takojmë në hyrje të pavijonit të djegieve në QSUT. As dhjetë metra më andej ndodhet pavijoni infektiv, i shndërruar në spital COVID ku mbizotëron një qetësi e pazakontë si në periudhë epidemie që jemi. I rrethuar nga perimetri i sigurisë, brenda shikon vetëm disa policë të rendit dhe privatë, si dhe infermierë apo mjekë që pushojnë në stolat para tij. Një ambulancë, pak më tutje e cila duket se s’ka asnjë ngutje për të shkuar në ndonjë urgjencë.

Spitali infektiv duket më i qetë se çdo ditë tjetër, në krahasim me pavijonet e sëmundjeve të tjera të cilat gëlojnë nga pacientët. Doktor Xhepa sapo ka dalë nga salla e operacionit në pavijonin e djegieve. Përveçse kirurg, ai prej më shumë se tre dekadash jep lëndën e anatomisë në fakultetin e mjekësisë, e cila është nga lëndët bazë në formimin e mjekëve.

Kardiologë, pediatër, stomatologë, gjinekologë, otorino apo qoftë dhe imunologët dhe virologët që kanë qenë dikur studentë të mjekësisë dhe sot kanë veshur bluzën e bardhë, e njohin fare mirë korrektesën dhe përgatitjen e profesorit në që jep. “Kjo më duket si një marrëzi kolektive”, të thotë doktori teksa na tregon oborrin e zbrazët të infektivit.

Nuk ikën gripi me karantinë, por me vaksinën natyrale që është imuniteti i njeriut”. Më herët, një mjek kardiolog, në kushtet e anonimatit, informoi për MAPO, se në periudhën janar-shkurt, është përballur me një valë të pazakontë gripi të formës së rëndë, i cili shkaktonte bllokim të pulmoneve te të moshuarit, pasi për vetë natyrën e punës, në shumicë ndjek të tillë pacientë.

Madje siç u shpreh mjeku kardiolog, nuk kanë qenë të pakta rastet, kur janë oksigjenuar dhe në kushtet e shtëpisë. Ia treguam këtë rast doktor Xhepës, i cili na tha se dhe ai kishte dyshimet e tij dhe se ka kërkuar që me nisjen e pandemisë që të dalin pamjet e imazherisë së pacientëve të asaj kohe, por që ende s’është bërë e mundur.

Në atë kohë, unë kërkova nga epidemiologët të shpjegonin pse pas vendosjes së karantinës kishim një kurbë në rënie dhe jo në ngritje, duke vënë në dyshim rastin 0 të njohur zyrtarisht si rast fillestar të epidemisë”, shprehet Xhepa.

Zoti Xhepa, Shqipëria ndodhet që prej të paktën 50 ditësh nën masa shtrënguese për shkak të pandemisë. Sot që flasim, në spitalet e ngritura për këtë qëllim shënohen vetëm 32 të shtruar, nga një total prej diçka më shumë se 770 të prekurish. A janë të justifikuara këto masa në momentet që po flasim, dhe në mungesë të tyre, do kishim shifrën e viktimave që deklaroi kryeministri (18 mijë)?


Numri i viktimave 18000 është çmendurisht i gabuar dhe ekstra-logjikisht i ekzagjeruar. Sikur të kishim një popullsi me ndjeshmërinë e Evropës Perëndimore, që çuditshëm shfaqi një ndjeshmëri dhe vdekshmëri 70 – 80% më të lartë ndaj virusit se Evropa Lindore (ku përfshihemi dhe ne), në kushte të mungesës së plotë të masave shtrënguese dhe zbatimin e politikave suedeze, sot do të rezultonim në Shqipëri, me një total vdekshmërie prej 685 viktima, që në kushtet e rezistencës natyrale në Evropën Lindore do të reduktohej në 115 viktima.

Por me sa di unë, vetë kryeministri e ka korrigjuar si shifër, pasi e quajti një lapsus të specialistëve këshillues në fillimet e pandemisë, kur nuk njiheshin mirë kurbat epidemiologjike të COVID-19, duke e reduktuar numrin e viktimave në mungesë masash shtrënguese në 2200. Por fatkeqësisht kjo shifër, mbetet sërish jashtë çdo parametri real epidemiologjik logjik, pasi në Gadishullin Ballkanik vdekshmërinë më të ulët e ka Bullgaria me 9 vdekje/ 1 mln banorë (sipas Ëorlmeters Coronavirus të dt. 28 Prill 2020) dhe më të lartin Sllovenia me 43/ mln, që të konvertuara në popullsinë shqiptare, do të rezultonin 25 deri 120 viktima, në një kohë që ne, me masat më drastike në rajon, kemi 30 viktima. Me një përllogaritje të thjeshtë, duke u nisur nga vendi fqinj Greqia, për të cilën shefi i opozitës Tsipras e quajti neglizhente në masat shtrënguese dhe kërkoi të ndiqet shembulli i Shqipërisë (sipas medias shqiptare), e cila sot ka 13 vdekje/ mln, e konvertuar në popullsinë shqiptare do të rezultonim me 37 viktima.

Pra masat shqiptare që kanë ekzaltuar z. Tsipras, në logjikën e thjeshtë matematikore kanë kursyer vetëm 7 jetë njerëzish. Si mjek jam i ndjeshëm edhe karshi një jete të humbur dhe do t’i mbështesja këto masa, nëse nuk do llogarisja qindra jetë të rrezikuara sot në shtëpi nga dalja jashtë loje e shërbimit shëndetësor shqiptar, ku QSUNT (Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”), qendra kryesore e menaxhimit të rasteve serioze për gjithë Shqipërinë, është e bllokuar në aktivitetin e saj si Qendra COVID 1. Me sa vdekje do të pasohet kjo situatë në radhët e të sëmurëve të harruar (pra jo COVID-19), ku përllogaris të sëmurët kronikë, moshën e tretë të abandonuar dhe izoluar nga shërbimi shëndetësor?