Rihapja e ekonomisë/ Vjen zgjidhja nga Izraeli: Karantinë sipas sjelljes së virusit. Punonjësit ndahen në dy grupe, punohet 4 ditë dhe…


Ky është propozimi i një grupi shkencëtarësh izraelitë, sipas të cilëve, duhet punuar katër ditët e para të ciklit të zhvillimit të virusit e më pas, të vetëkarantinohesh.

Do ishte mirë që edhe popullata të ndahej në dy “cikle” 14- ditore, me qëllim që ekonomia të vijojë të ecë, edhe pse me gjysmë kapaciteti. Nga ana tjetër, studiuesit e Universitetit të Berkeley-t shprehen se karantina e plotë është me kosto më të pakta, më efektive dhe më e shkurtër.

Të veprosh si në xhudo, të mundësh kundërshtarin, duke përfituar nga shtytja e tij. Në rastin e epidemisë, përfitoni nga kufizimet, le të themi, prej “axhendës” së tij. Shkurt, të lirosh karantinë, duke lundruar në ritmet dhe sjelljet e koronavirusit. Rezultati nuk e garanton shëndetin 100%, por, sipas një modeli matematikor izraelit, ai u jep qeverive “graalin” e shenjtë që po e kërkojnë në mënyrë të dëshpëruar, për të dalë nga pincat e epidemisë/recesionit: minimizon infeksionet, ndërsa rihap ekonominë.

Dhe si e arrin këtë? Me një përzierje të një jave të shkurtër (me të vërtetë, shumë e shkurtër) dhe një mekanizëm si pllakat alternative të asketizmit antik. Çelësi i “strategjisë adaptive ciklike të daljes në karantinë”, parashikuar nga Ron Milo, Uri Alon dhe kolegët e tyre në Tel Aviv, është shkalla e ngjitjes së koronavirusit, i cili, si të gjitha sjelljet e virusit, pas një periudhe vëzhgimi prej vetëm tre muajsh, është, megjithatë, ende lëndë hipotezash, të cilat shpesh refuzohen shpejt nga vëzhgime të reja.

Për momentin, megjithatë, kuptohet që virusi, në tri ditët e para të infeksionit, ka pak aftësi për të infektuar njerëzit e tjerë. Ky kapacitet bëhet maksimal midis ditës së katërt dhe të tetë dhe më pas, nëse infeksioni nuk ka zënë vend, ai bie.

“Nëse është kështu, ne mund të vendosim norma të ngadalësimit të karantinës 14- ditore. Ndarë në këtë mënyrë: shkohet në punë për katër ditë. Këto janë ditët kur, për pjesën më të madhe, virusi nuk është akoma aktiv aq sa të infektojë njerëzit e tjerë. Pas ditës së katërt, hyhet në karantinë. Është momenti i ngjitjes maksimale. Të mbyllur brenda shtëpisë, nuk rrezikojmë të infektojmë dikë tjetër. Dhe në të njëjtën kohë, ne e kuptojmë nëse jemi të sëmurë. Në këtë rast – nëse virusi ka fituar terren – ne mbetemi ngjitës më gjatë, por, pasi simptomat janë shfaqur, ne mund të marrim masat paraprake të përshtatshme, duke vazhduar në izolimin tonë. Nëse nuk kemi shenja të sëmundjes në ditën e njëmbëdhjetë të karantinës, ne mund të arrijmë të shkojmë në punë. Në këtë pikë, në fakt, mundësia e përhapjes së virusit është shuar ose është zvogëluar”, thonë shkencëtarët.

Fjalët kyçe në këtë skemë janë më së shumti: mekanizmi zvogëlon mundësinë e ngjitjes, por nuk e eliminon atë. Dhe nuk zhbën domosdoshmërinë për të vazhduar zbatimin e masave paraprake të zakonshme: maskë, doreza, distancë prej dy metrash. Megjithatë, lejon rihapjen e ekonomisë mbi bazën e një risku të llogaritur. Përhapja e virusit do të ishte e përmbajtur dhe e përballueshme për mjekët, infermierët e ventilatorët.

“Mund të përsoset, thonë shkencëtarët izraelitë, madje edhe me një mekanizëm alternativ, duke e ndarë popullsinë në dy cikle katërmbëdhjetëditore. Një javë punon grupi A, i cili më pas mbyllet në shtëpi të premten e deri të dielën e javës tjetër. Ndërkohë, grupi B shkon në punë të hënën, deri të premten, për të nisur karantinën e kështu e radhë. Në thelb, çdo javë punon gjysma e popullsisë dhe ekonomia, megjithëse me një ritëm të ngadaltë, vazhdon”.

Tani për tani, hulumtimi izraelit ofron vetëm një parashikim: puna duhet ende të vlerësohet dhe verifikohet sipas procedurave të zakonshme të botimeve shkencore. Sidoqoftë, filozofia e dëmtimit të ngadaltë, por të reduktuar, është kontestuar tashmë: edhe një herë, me goditje të modeleve matematikore.

Një hulumtim tjetër – nga Universiteti i Kalifornisë Berkeley – thotë pak a shumë të kundërtën. Në planin afatgjatë, studiuesit amerikanë argumentojnë që përmbajtja e epidemisë kushton më shumë sesa ta frenosh atë me karantina të ngurta. Zgjatja e periudhës me gjysmë karantina ose me shkëputje, shton kostot në vdekje, ditë pune të humbura për shkak të sëmundjes, mjekë, farmaci, spitale, mekanizmat e distancimit social, që do të thotë një barrë financiare shumë më e lartë se ajo që duhet përballuar në kushtet e një karantine të ashpër, tërësore, por me një kohëzgjatje më të shkurtër.

Në Berkeley, propozohet të konsiderohen kostot e karantinës së ngurtë si një lloj investimi në post-epidemi. Edhe këtu, ekziston një supozim thelbësor: sistemet e zbulimit dhe gjurmimit të ngjitjeve duhet të jenë të gatshme.

Vetëm në këtë mënyrë, në të vërtetë, do të shfrytëzohen të mirat e një karantine të ashpër: izolimi i përgjithshëm favorizon zvogëlimin e infeksioneve, të cilat mund të ndiqen dhe të kufizohen, duke lejuar të tjerët të kthehen sa më shpejt në jetën normale. (“La Repubblica”)