Basha: Opozita do të mbështesë protestat e qytetarëve, qeveria i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për News 24 deklaroi se Partia Demokratike do të mbështesë të gjitha protestat e qytetarëve në kohën kur qeveria nuk përmbush detyrimet kushtetuese ndaj tyre në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Basha tha se nga ana tjetër opozita nuk do shfrytëzojë zemërimin e tyre për pushtet.

“Ne mbështesim protestën e drejtë të qytetarëve që ka nisur tashmë. I kanë detyrim në Kushtetutë t’i zbatojë qeveria kërkesat e tyre, se shteti i detyroi njerëzit të mbyllen në shtëpi, shteti duhet t’i përgjigjet me ndihmë financiare, me ndihmë ekonomike. Nuk është lëmoshë as vullnet i mirë i Edi Ramës, pra e ka në detyrë. Pyetja që shtrohet sot është ku janë lekët e shqiptarëve? Lekët e taksapaguesve shqiptarë? Si do ta mbajnë gjallë frymën ata, me fjalë, me cinizëm? Mbështes me të gjitha format dhe mënyrat protestat e qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre në një situatë keqmenaxhimi nga qeveria. Ne nuk do ta shfrytëzojmë këtë zemërim të tyre për pushtet”,- tha Basha.

Sipas tij, nga qeveria “Nuk ka dy paketa por dy gjysëm pakëta në letër që nuk janë vënë në zbatim. Njerëzit janë braktisur, janë lënë në mëshirë të fatit. Nga mëngjesi në darkë kryeministri ka vetëm dërdëllitje para ekranit. Kjo nuk sjell ushqim në tryezat e shqiptarëve. Mjafton të shikojë eksperiencat e vendeve fqinje për të kuptuar që është i dështuar”.