Shqipëria nis grupin e dytë me 60 infermierë drejt Italisë. Luigi di Maio: Tjetër dhuratë nga Shqipëria


Gjashtëdhjetë infermierë shqiptarë u nisën pasditen e së hënës drejt Italisë për të ndihmuar me situatën e epidemisë së Covid-19 atje.

Bashkë me 30 mjekë të dërguar në fund të marsit shkon në 90 totali i punonjësve të shëndetësisë shqiptare të dërguar përtej Adriatikut në një situatë kur edhe Shqipëria është prej 2 muajsh nën epidemi.

Mjekët u përcollën në aeroportin e Rinasit nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori italian, Fabrizio Bucci.

Manastirliu pohoi se njëjtë si grupi i parë, edhe grupi i dytë i mjekëve do të shërbejnë në zonën më të prekur nga COVID-19 të Italisë, rajonin e veriut.

Ajo e konsideroi si gjest solidariteti për një vend mik ndaj Shqipërisë dhe i siguroi mjekët se do të kujdesen për familjet e tyre njësoj si për grupin e parë, që pritet të kthehet së shpejti.

Ambasadori Bucci shprehu falenderim dhe mirënjohje për Shqipërinë për solidaritetin e treguar.

Përmes një postimi në Twitter, Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio e vlerësoi ndihmën si mbështetje e afërt e një vendi mik.

Më 28 mars qeveria dërgoi 30 mjekë në rajonin e Lombardisë. Dërgimi i tyre u komentua shumë në Itali, ku qeveria përveç falenderimeve ndaj Shqipërisë, e përdori dhe për të rritur presionin për më shumë ndihma ndaj Bashkimit Europian.

Prej nisjes së epidemisë së Covid-19 në Itali janë diagnostikuar 179 mijë njerëz me koronavirus, rreth 24 mijë prej të cilëve kanë vdekur, gjysma në rajonin e Lombardisë në veri. Në bilancin tragjik bëjnë pjesë edhe 140 mjekë.